Dritarja e emocioneve
Qëndroja i ulur mbi tavolinën e drunjtë, duke shkruar receta e raporte. Në të majtën time, një dritare e vogël më lejonte të shikoja vjedhurazi. Sikur doja të rrëmbeja sado pak buzëqeshje, humanizëm, përkujdesje … sikur doja të rrëmbeja sado pak nga profesioni i infermierit.
Unë isha ai, njeriu të cilin bankat e universitetit e përgatitën 6vite mbi sëmundje e mjekime, por kurrë nuk i mësuan si të shëronte shpirtin e vet. Unë isha ai, mjeku i cili vishte përparësen e bardhë e fshihte nën të ndjesi dhe emocione … Dhe jo për fajin tim. Jetoja në realitetin e rrënuar.
Por, me infermierin cdo gjë ishte kaq ndryshe, gati gati ai kundërshtonte edhe gravitetin, ligjin e rëndëses për mirëqënien e pacientit të tij.
A e përjetojnë vallë njerëzit ndjesinë e një qëllimi njëjtë sa infermierët? Të punosh me njësi matëse subjektive është e vështirë, por jo e pamundur. Shiko danezët e më pas kthehu e shiko infermierët, e do kuptosh që ndjesitë janë ato që iu japin formë veprimeve e fjalëve, jo disa ingranazhe që nesër mund të dalin versione më të përmirësuara.
Profesioni i respektuar, por asnjëherë i vlerësuar sa duhet, jehonte ndjesinë e shtëpisë tek të sëmurët.
Ora e artë është afërsisht një orë para se dielli të lindë, e një orë para se ai të perëndojë, por nga ajo dritare drita nuk shuhej kurrë. Ndryshonte uniformë, ndryshonte fytyrë, ndryshonte duar por nuk shpërbëhej. Infermieria është një energji universale.
Teksa vështrimin e kisha ngulmtazi nga dritarja, një buzëqeshje kish kapluar fytyrën time …. Ngriu në vend … Kisha zbuluar shtegun që të shpinte në dlirësi.
Cdo herë e më shumë mësoj nga infermieri përtej dritares.