Kutia e shpresës
Kundronte momentet e jetës sime cdo ditë nga cepi i pluhurosur i papafingos. Nuk ankohej që e kisha braktisur prej kohësh, mjaftonte të ishte në atë shtëpi. Lypsej të më ndihmonte e unë e qortoja.
Jashtë dëbora ish kthyer në ngricë, e një mbasdite u ktheva në shtëpi e gjakosur kokë e këmbë. Kontrolloja si e marrë në komodinë, mbi tavolinë, nën divan por kutia nuk dukej kurrkund. Njollat e gjakut përpos rrobave të mia, po përlanin dalëngadalë dhe mobiljet.
Papritmas u kujtova, tashmë merimangat e kishin kthyer në shtëpinë e tyre.
Ngjita shkallët e u gjenda në papafingo. Petku i errësirës kish gllabëruar cdo gjë vecse atë. Si një vegim shprese … Kutia e ndihmës së shpejtë … u duk sikur buzëqeshte që po më shihte përsëri. E mora, e pastrova dhe e lejova të bënte atë për të cilën është krijuar, atë të cilën ma kish kërkuar ta bënte gjithnjë… Të kujdesej për mua.
Nxorra dorashkat, pambukun, fiziologjik spray, jodin, termometrin, fashën. Të gjitha ishin në vendin e vet, njëjtë si i kisha lën kohë më parë, por dukeshin më të dashura. (Mirë që nuk e kisha shpërbërë, si më kishte diktuar shumëkush) Mjekova plagët dhe u nisa për në spitalin më të afërt.
Ditët kaluan e nga plagët kishte mbetur një hije si për të më kujtuar fjalët e mjekut atë mbasdite.
– Nëse do kishe ndërhyrë menjëherë, duke dezinfektuar e fashuar plagët, nuk do të kishe humbur kaq shumë gjak e nuk do të kishe pjesë të infektuara, do të shëroheshe më shpejt e shenjat do të ishin zhdukur.
E si mund t’i tregoja një profesionisti mjeksor cfarë kisha katranosur me kutinë time të ndihmës së shpejtë.
Ulja kokën nga turpi sa herë fjalët e mjekut më vinin në vesh, si përshpërimë. Tashmë mban emrin “Kutia e shpresës”, sepse në rast lëndimi është e para që më jep shpresë për shërim. Shpresa që hap siparin e mjekimit.
Po kutia jote cfarë emri mban?
Ahh se për pak harrova, ajo tashmë më shoqëron kudo, e vetëm harresa ka mbetur në papafingo.
Punoi: Adelajda Belba