Pjesëmarrja e Akademisë së Kërkimit Shkencor në Infermieri në Konferencën Ndërkombëtare “Kujdesi Shëndetësor përmes një Qasje Multidisiplinare” në Universitetin “Fehmi Agani” – Gjakovë
Më datë 23 maj 2025, në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare me temën:
“Kujdesi shëndetësor përmes një qasje multidisiplinare”, një ngjarje akademike me peshë në nivel europian, ku u trajtuan çështje aktuale dhe sfida të praktikës klinike, kërkimit shkencor dhe arsimit në fushën e shëndetësisë.
Akademia e Kërkimit Shkencor në Infermieri (KSHI) mori pjesë në këtë forum prestigjioz me një delegacion të përbërë nga profesionistë të shquar të infermierisë shqiptare, të cilët prezantuan kontribute të nivelit të lartë shkencor.
Kolegët Klajdi Belishta, Rexhilda Rezi, Edjona Miraka, Sindi Maloku dhe Aurora Kokici referuan pesë punime kërkimore, të fokusuara në fusha kyçe si: kujdesi infermieror, siguria e pacientit, menaxhimi i patologjive kronike, përdorimi i inteligjencës artificiale në praktikën infermierore, si dhe roli i infermierisë në shëndetin e punës dhe ndërhyrjet edukative klinike.
Përfaqësimin institucional të KSHI dhe njëkohësisht të Associazione Italiana Occupational Health Nursing (AIOHN) e realizoi me përkushtim kolegia Aurora Kokici, e cila, përveç prezantimit të punimit të saj shkencor, përcolli një mesazh përshëndetës nga Presidentja e AIOHN, Dr.ssa Victoria Ferrua, duke theksuar rëndësinë e rrjetëzimit profesional ndërkombëtar dhe duke ftuar kolegët për bashkëpunime të reja në fushën e infermierisë së shëndetit në punë.
Drejtuesi i KSHI, Prof. Erald Çoçka, në komunikimet me kolegët, shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin maksimal për mikpritjen dhe organizimin e shkëlqyer të konferencës, duke theksuar veçanërisht kontributin e Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Këshillit Organizues, si dhe të Prof. Ass. Muhamet Kadrija, i cili, me një qasje vizionare, gjithëpërfshirëse dhe profesionale, kontribuoi në forcimin e bashkëpunimeve akademike ndërinstitucionale.
Pas konferencës, me iniciativën e Prof. Kadrija, u zhvillua një intership profesional dhe akademik, në ambientet didaktike, laboratorike dhe klinike të Fakultetit të Mjekësisë. Ky intership u prit me entuziazëm dhe interes të veçantë nga studentët e universitetit dhe përfaqësoi një model të shkëlqyer të ndërveprimit midis kërkimit shkencor, edukimit dhe praktikës klinike.
Studentët patën mundësinë të angazhohen në diskutime të hapura me delegacionin e KSHI dhe të njihen nga afër me projektet aktuale kërkimore dhe qasjet bashkëkohore në infermierinë moderne.
Në këtë kontekst, Akademisa e Kërkimit Shkencor në Infermieri promovoi edhe projektin tashme te njohur nga studentet shqiptare “Studenti në Fokus”, një iniciativë që synon angazhimin aktiv të studentëve në kërkimin shkencor, zhvillimin profesional dhe ndërlidhjen me rrjete akademike ndërkombëtare.
Kjo nismë u prit me interes të lartë nga studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Gjakovë, me të cilët u diskutua për mundësi konkrete bashkëpunimi dhe përfshirjeje në projektet e ardhshme të Akademisë.
Pjesëmarrësit e KSHI patën gjithashtu rastin të ndjekin referimet e kolegëve nga e gjithë Europa, të cilët prezantuan studime të thelluara mbi ndërhyrjet multidisiplinare, risitë në kujdesin klinik, protokollet e avancuara terapeutike, si dhe integrimin e teknologjive të reja në proceset diagnostike.
Kjo shkëmbesë njohurish dhe përvojash profesionale pasuroi ndjeshëm aktivitetin e konferencës dhe krijoi një klimë të favorshme për zhvillimin e partneriteteve të reja akademike ndërkombëtare.
Akademia e Kërkimit Shkencor në Infermieri mbetet e angazhuar në promovimin e ekspertizës infermierore shqiptare në skenën ndërkombëtare, në forcimin e lidhjeve ndëruniversitare, si dhe në nxitjen e pjesëmarrjes aktive të studentëve në kërkim, edukim dhe inovacion në fushën e kujdesit shëndetësor.
Pegatiti per KSHI
MSc Aurora Kokici
Me poshte ju prezantojme me disa foto-galeri